DURRËS: BABË E BIR, PASIONANTË TË ZHYTJEVE, PROMOVOJNË ROBOTIN E XHIRIMEVE NËNUJORE

Erald Syri i Detit

DURRËS, 25 Qershor /2011  /ATSH-Gëzim Kabashi/.- Dy pasionantë të zhytjeve nënujore, babë e bir, Thoma dhe Erald Berberi, nga qyteti i Durrësit kanë promovuar zyrtarisht mbrëmjen e kaluar një robot për xhirime nënujore.
Erald Berberi, një nga drejtuesit e Klubit të aktiviteteve nënujore të Durrësit KANUD, në prani të dhjetëra kureshtarëve dhe specialistëve të fushës, kreu provat e para në kalatën 4 të portit detar, gjatë festës Open Port 2011.
Për afro një orë roboti me peshë 36,4 kg është zhytur nën komandat në distancë të Eraldit.
“Ky është një mjet i komandueshëm nga distanca ROV (Remotely operated vehicle)”, tha për ATSH-në konstruktori i robotit nënujor që ka marrë emrin “Erald” Sea Eye (Syri i Detit).
I ndihmuar nga drita të fuqishme ai kryen vëzhgime dhe xhirime deri në 150 metra thellësi, të cilat mund të shihen në kohë reale në kompjuterin përkatës.
“Roboti ka katër motorrë, dy nga të cilët shërbejnë për ngritjen dhe zhytjen, ndërsa dy të tjerët për lëvizjet në plan. Motorrët ushqehen nga bateritë me pavarësi prej 4 orësh”, theksoi Eraldi, duke shtuar se roboti mund të shërbejë për xhirime gjatë ekspeditave arkeologjike, si dhe gjatë testimeve të gjendjes poshtë anijeve apo në portat e digave të hidrocentraleve.
Erald Berberi ka patur në këtë ndërmarrje të rëndësishme mbështetjen e plotë të të jatit, Thomait, i cili së bashku me vëllezërit ndërtoi në fundin e viteve 1970 një batiskaf të thellësive, që u pagëzua me emrin “Rinia”.
Nga dritaret e këtij batiskafi janë xhiruar skenat nënujore të filmit “Ballëpërballë” të regjisorëve Pirro Milkani dhe Kujtim Çashku

Erald Syri i detit

You can leave a response, or trackback from your own site.

Leave a Reply

You must be logged in to post a comment.