Bishti i Palles apo Kepi i Palit ?

Keshtu shefit të regjimit komunist Enver Hoxha nuk i pëlqente në fillimin e vitit 1976 emri Bishti i Pallës (i Skënderbeut), pasi toponimi bizantin Kepi i Palit figuronte 4-5 shekuj më parë se të shfaqej Skënderbeu me pallë.

Duke filluar nga viti 2005 Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë përdor toponimin “Kepi i Palit” për atë të vjetër që njihet si “Bishti i Pallës”.

Në hartat anglishtfolëse toponimi është “Cape Pali”, kurse në ato italiane “Capo Pali”.

Sipas historianëve, krishterimi është përcjellë tek arbrit drejtpërdrejt nga goja e vetë apostujve të Jezus Krishtit dhe filloi të përhapej në Iliri që në shek. I-rë të e. s. si fe e ligjshme.

Apostulli Pal rreth vitit 57 shkruan: “Kështu prej Jeruzalemit e përqark e deri në Iliri kam kryer shërbimin e ngjalljes se Krishtit, duke u përpjekur të ungjillëzoj atje ku nuk ishte i njohur emri i Krishtit”.

Mendohet se Pali ka qëndruar në një kep në veri të Durrësit.

Ka hamendësime që fillimisht ky kep të jetë quajtur “Kepi i Palit”.

Në toponiminë e Durrësit ai njihet si Bishti i Pallës.

Është interesante se me këtë problem gjuhësor-historik është marrë dhe vetë Enver Hoxha në tri raste.

Si shkak mund të ketë shërbyer ai që diktatori e quan zbulimi i një fushe gaz-e-naftë-mbajtëse në Bishtin e Pallës, ndoshta më i madh se ajo e Divjakës, që, po sipas Hoxhës, është sabotuar nga armiqtë (“ju e keni dëgjuar të gjithë se në bregdetin tonë të Adriatikut ndodhet vendi që quhet Bishti i Pallës. Në këtë pjesë të bregdetit armiqtë e brendshëm dhe agjentët e huaj na kanë sabotuar nxjerrjen e naftës. Kjo flet qartë për domosdoshmërinë e rritjes së vigjilencës”, do të thoshte shefi i regjimit në mbledhjen e organizatës bazë të partisë ku militonte).

Për t’u marrë me këtë problem në fillim të vitit 1976 ka çuar në Durrës një anëtar të Byrosë Politike, Haki Toskën, sikurse del nga një bisedë e 22 janarit 1976 me sekretaren e parë të Lushnjës, Lenka Çukon (“unë dua të di, fjala vjen, ç’u bë me pusin e gazit që pësoi avari në Durrës. Hakiu [Toska, në atë kohë anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar KQ të PPSH], menjëherë pas takimit, u informua dhe na raportoi të nesërmen për situatën, se gjer ku kishte arritur puna para avarisë dhe ç’rezultate janë arritur pas eliminimit të saj. Për këtë sektor sidomos ne bëjmë shumë kujdes, pse të gjithë armiqtë na kanë sabotuar haptazi në naftë dhe asnjëri nuk na vinte në dijeni. Kështu është vepruar edhe në fushën gazmbajtëse të Durrësit, ku ka dalë gaz që ndoshta si sasi mund të jetë më e madhe nga ajo e Divjakës. Ky është një sukses pas sabotimit, por duhet të zbulojmë të tjera fusha, se na kanë sabotuar rëndë në këtë drejtim”).

Për Bishtin e Pallës Enver Hoxha ka një shënim në esenë e tij kushtuar studimeve historike më 26 janar 1976.

Ai i kthehet kësaj teme dhe dy javë më pas, më 5 shkurt 1976.

Hoxha jep një version të tij të toponimit, që është mbështetur dhe nga ekspertët. Por është e çuditshme që ai nuk urdhëroi ndryshimin e toponimit.

Kurse Ministria e Mbrojtjes e viteve 2000 Bishtin e Pallës e quan Kepi i Palit.

Dokumenti, 5 shkurt 1976

Enver Hoxha: Versioni im për Kepin e Palit

“Ju e keni dëgjuar të gjithë se në bregdetin tonë të Adriatikut ndodhet vendi që quhet Bishti i Pallës.

Në këtë pjesë të bregdetit armiqtë e brendshëm dhe agjentët e huaj na kanë sabotuar nxjerrjen e naftës.

Kjo flet qartë për domosdoshmërinë e rritjes së vigjilencës.

… Lidhur me Bishtin e Pallës që përmenda më parë, pyeta një ditë, në bisedim e sipër, një shok: “E di ti, i thashë, – përse një kep nga të bregdetit tonë quhet Bishti i Pallës”?

Bashkëbiseduesi m’u përgjigj: “Se atje kishte dalë Skënderbeu me pallë në dorë, duke luftuar kundër turqve”.

Kështu na e kanë mësuar në shkollë prejardhjen e këtij emri.

Mirëpo, kur lexon, del se, për rastin konkret, nuk është e vërtetë ajo që dimë.

Duke shfletuar një libër me titull “Aleksiada”, të shkruar më 1148 nga Ana Komnena, historiane e njohur bizantine, për babanë e vet, Aleks Komnenin, perandorin e Bizantit, mësova se në kohën e kryqëzatës së parë, babait të saj i qe dërguar një letër nga mbreti i Francës, që merrte pjesë në këtë kryqëzatë.

Në letër ftohej Aleksi që ta priste mbretin në qytetin Dyrrakium, sepse që andej ai do të shkonte në Bizant.

Autorja e librit tregon se babai i saj kishte shkuar në këtë rast në Dyrrakium, të cilin ajo e përshkruan me hollësi; flet për pritjen dhe nderimet e mëdha që iu bënë mbretit atje, dhe tregon se anija e tij u shkatërrua në Kepin e Pallës.

Nga ky libër dhe nga ngjarjet historike të shekujve të 11-të e të 12-të, që përshkruhen në të, kuptohet që ky vend është quajtur kështu në shekullin e 11-të, pra shumë më përpara nga koha e Skënderbeut, çka do të thotë se emri Bishti i Pallës s’ka të bëjë as me shpatën e tij”.

source: /th. m. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/

Responses are currently closed, but you can trackback from your own site.

Comments are closed.